Pas numërimit të votave të rregullta dhe atyre me kusht, kaq ulëse do t’i marrin partitë politike

Qendra e Numërimit të Rezultateve ka përfunduar procesin e numërimit të votave me kusht, ndërkaq ka filluar numërimin e atyre me postë.

Vetëvendosje ka marrë 14 mijë e 939 vota nga gjithsej 29 mijë 490.

Kjo parti, deri tash ka të siguruara 56 ulëse në Kuvend, teksa kanë mbetur të numërohen edhe mbi 56 mijë vota të ardhura me postë.

VV-ja në zgjedhjet e muajit të shkuar pati marrë 47.85 për qind të votave, nga numërimi i mbi 791 mijë votave të rregullta.

Pas numërimit të edhe mbi 29 mijë votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, VV-ja është ngritur në 47.94 për qind. Nga këto 29 mijë e 490 votat me kusht, VV-ja mori 14 mijë e 939 apo 50.6 për qind.

Rënie të lehtë kanë pasur të gjitha partitë tjera.

Partia Demokratike e Kosovës pas llogaritjeve të votave të rregullta dhe atyre me kusht ka 17.38 për qind të votave, apo 20 ulëse në Kuvend.

Lidhja Demokratike e Kosovës në votat me kusht ka marrë më pak se 10 për qind, dhe kjo ka bërë që ajo të bjerë në votat e përgjithshme në më pak se 13 për qind.

Kjo parti deri tash ka saktësisht 12.95 për qind të votave. Me përllogaritjen “Sainte-Lague” që përdoret për ulëset në Kuvendin e Kosovës, kjo parti do të marrë 15 ulëse.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pas numërimit të 820 mijë e 778 votave të rregullta dhe me kusht, ka marrë 60 mijë e 910 vota, apo në përqindje 7.42 për qind. AAK-ja deri tash ka të siguruara 9 ulëse në Kuvend.

Nisma Socialdemokrate mbetet jashtë Kuvendit