Pas ngritjes së çmimeve, nis monitorimi i çmimit të bukës dhe produkteve tjera

Biznese të shumta në vend kanë nisur shtrenjtimin e produkteve të tyre, përfshirë edhe atyre esenciale.

Çmimi i bukës ka arritur në 60 centë, teksa edhe produkte të tjera janë shtrenjtuar. Qytetarët ankohen se po abuzohet me çmime. Ndërsa, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e shtrenjtimit të bukës dhe mbi 20 produkteve të tjera bazë.

Nga 50 centë sa ishte, çmimi i një buke është ngritur në 60 centë. E bashkë me të, janë rritur edhe çmimet e byrekut, kifleve e produkteve te tjera nga mielli.

RTK-ja ka vizituar furra dhe markete në Prishtinë për të parë se si variojnë çmimet e produkteve të tjera.

Vetëm këto katër produkte të cilat konsiderohen si esenciale nga qytetarët, mielli, sheqeri, vegeta e makaronat kushtojnë 5 euro në një nga marketet në Prishtinë.

Pra, 5 euro e 60 centë kushtoi vetëm buka bashkë me këto produkte të tjera esenciale, të cilat sigurisht se janë të pamjaftueshme për tryezën e një familjeje në bazë ditore. Po të shtojmë edhe djathin, vezët e çajin, shuma tejkalon vlerën prej 10 eurove.

Kjo pasi edhe këto produkte janë shtrenjtuar së fundmi. Por nuk mbetet me kaq.

Pas shpenzimeve për ushqim, qytetarët që në këto ditë të ngrohta duan të shijojnë kafenë në një nga kafeteritë në kryeqytet, duhet të mendojnë nëse do t’i frekuentojnë ato që janë në sheshin e Prishtinës.

Në një nga kafenetë këtu në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë çmimi i një makiatoje të madhe ka shkuar në dy euro”.

Çmimi i një kafeje amerikane kushton 1.80 euro, makiatos së vogël 1,50 euro, aq sa edhe çmimi i një shisheje ujë.

Për të frekuentuar këto kafe, marketet apo edhe vendet e tjera, qytetarët që përdorin veturat si mjet transporti, do të kenë edhe shpenzime të tjera shtesë.

Kjo pasi edhe pse ka rënë çmimi i derivateve në bursën ndërkombëtare, në Kosovë çmimi i një litri naftë po sillet rreth 1,22 euro, ndërsa i një litri benzinë 1,21.

Rritja e çmimeve dhe shqetësimet e ngritura nëse bizneset po abuzojnë me to, kanë shtyrë Autoritetin e Konkurrencës që të monitorojnë tregun.

“Aktualisht është duke u zhvilluar një analizë e detajuar mbi çmimet e më shumë se 20 produkteve bazë, si dhe monitorim i veçantë në tregun e bukës dhe në sektorin e gastronomisë, përfshirë çmimin e kafesë”, thonë nga AKRK.

Njohës të ekonomisë fajin për këto çmime të larta po ia lënë edhe importit.

Biznese të shumta kanë paralajmëruar edhe më tej ngritje të çmimeve të produkteve të tyre, duke u arsyetuar në shtrenjtimin e energjisë elektrike.