Para dy javësh ishte larguar nga Qendra e Migrantëve, ky është personi që u gjet i varur në pyllin e Lupçit

Një ngjarje të rëndë që ka ndodhur të martën në fshatin Lupç të Podujevës, ku një person është gjetur pa shenja jete dhe dyshohet për vetëvrasje. Viktima është hasur i varur në litar në pyll dhe sipas informacioneve të para trupi është dekompozuar.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima dyshohet të jetë P. Adbiraman, banues i Qendrës së Përkohshme të Pritjes së Migrantëve që ndodhet në Vranidoll. I ndjeri kishte dalë nga qendra para rreth dy javësh dhe asgjë nuk dihej për fatin e tij, deri më dje, kur u gjet i varur në pyll.

Sinjali mëson se viktima është gjetur nga një qytetar, i cili më pas njoftoi Policinë dhe menjëherë njësitet përkatëse intervenuan në vendin e ngjarjes.

Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

Edhe nga Policia e Kosovës e kanë konfirmuar rastin.

“Dëshmitari mashkull kosovar ka njoftuar se gjersa ishte duke ecur në pyll, kishte hasur në një person të varur me litar. Në vend-ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.”