Pagat e kryetarëve të komunave sipas projektligjit të ri

Projektligji i ri i pagave, kryetarët do të paguhen në bazë të numrit të banorëve të komunës që udhëheqin

Projektligji i ri për paga parasheh që kryetarët e komunave të Kosovës të paguhen në bazë të numrit të banorëve që ka komuna.

Sipas këtij projektligji, i cili tashmë është në fazën e konsultimeve publike, paga e kryetarit të kryeqytetit do të jetë më e larta.

Koeficienti i kryetarit të kryeqytetit sipas këtij projektligji është 15.

Ndërsa, për dy numra më pak, pra 13 është koeficienti i kryetarëve të komunave që kanë mbi 100 mijë banorë.

12.8 është koeficienti për kryetarët që udhëheqin komunat që kanë 70 mijë deri në 100 mijë qytetarë.

Ndërsa kryetarët e komunave që kanë prej 50 mijë deri në 70 mijë qytetarë e kanë koeficientin 12.6.

12.4 është koeficienti për kryetarin e komunës që ka 30 mijë deri në 50 mijë qytetarë.

Për 0.2 më pak është llogaritur të jetë koeficienti i kryetarit të komunave që kanë 20 mijë deri në 30 mijë qytetarë.

12 është koeficienti për komunën që ka nga 10 mijë deri 20 mijë qytetarë ndërsa të fundit me koeficient 11.8 radhiten kryetarët e komunave të Kosovës në të cilat numri i popullsisë është më pak se 10 mijë qytetarë.

Sipas projektligjit për paga, dallime në mes të koeficienteve në bazë të numrit të banorëve do të ketë edhe për kryesuesin e Kuvendit Komunal në secilën komunë të Kosovës.

E njëjta ndarje vlen edhe për Drejtor të Drejtorisë, zv. Kryesues i Kuvendit Komunal dhe Anëtarë të Kuvendit Komunal.

Sipas këtij projektligji, nënkryetari i kryeqytetit do të ketë koeficientin 13.

Ndërsa për nënkryetarët e komunave tjera koeficienti është nga 11 deri në 9.8 në bazë të ndarjes për numër të banorëve që ka komuna. 

KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e Asosacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimin, për të marrë një koment lidhur më këtë kategorizim të koeficentëve.

Ibrahimi ka thënë se komunat janë duke e shfrytëzuar mundësinë që të dërgojnë komentet e tyre duke qenë se projektligji është ende në fazën e konsultimeve publike.

“Ne jemi duke i mbledhur komentet ende, zyrtarët tjerë janë duke i dërguar, asamblistët janë kryesisht të kënaqur nuk kanë komente. Nuk po mundem me i komentu komentet që i japin komunat lidhur me këtë sepse aktualisht janë duke i dërguar”- ka thënë Ibrahimi për KALLXO.com.

Në anën tjetër, ky projektligj ka dallime në krahasim me draftin e projektligjit për paga i cili qarkulloi në media në shkurt të vitit 2022.

Drafti i atij projektligji për paga që e pati siguruar KALLXO.com në shkurt parashihte që paga e kryetarit të kryeqytetit të jetë më e madhe ndërsa për pagat e kryetarëve të komunave tjera ishte koeficienti i njëjtë për të gjithë.