OVL në Klinë, dhe familja e përkujtojnë dëshmorin e parë të Komunës së Klinës, heroin Mehedin Morina në 22 vjetorin e rënies

Sot u bënë 22 vjet nga rënia e heroit të kombit Mehedin Morina, nga Gllareva. Sot OVL, së bashku me familjen e heroit, me kryetarin e Rahovecit, e me shokë, përkujtojnë heroin Mehedin Morina.

sot në 22- vjetorin e përjetësimit të tij në Gexhë, nderuam kujtimin për heroin MEHEDIN MORINA nga Gllareva e Klinës.
Kujtojmë se në pjesën e parë të majit 1998, lufta e armatosur për liri kishte marrë përmasa, ajo po shtrihej nga dita në ditë. Pas betejës së suksesshme të UÇK- së ndaj forcave serbe, e cila u zhvillua me 12 maj 1998 në Ratkoc, Malësi e Vogël, Vrajakë e Bërtatin, rrafshi i Anadrinisë u shndërrua në Zonë të Lirë. Në natën midis 13 dhe 14 majit 1998, luftëtarët e lirisë ishin në pozicione në Kodrën e Gradishit, e në mëngjesin e 14 majit, filluan luftime të ashpra të UÇK-së me forcat pushtuese serbe. Në njërën anë, armiku me makinerinë e luftës, me tankse e automjete të blinduara dhe me artileri rrihte pozicionet e UÇK-së, në anën tjetër, luftëtarët e lirisë, me armë të lehta, por me zemrën zjarr e me trimëri i rezistonin trimërisht pushtuesit. Solidariteti i popullit anadrinas ishte i jashtëzakonshëm, na mbështetën me gjithçka patën.

Sot, njëherësh nderuam edhe kujtimin për martirët që ishin në mbështetje të UÇK-së: Bajram Himaj, Qamil Himaj, Zymer Morina nga Gexha dhe Imer Kajdomqaj nga Xërxa, të cilët u vranë nga forcat serbe.

Atë ditë në luftime na erdhën në ndihmë edhe njësitet e UÇK-së nga Malisheva, Drenica dhe Klina. Porsi rrufeja arriti në arenën e luftimeve edhe veprimtari dhe luftëtari i paepur i çështjes kombëtare, MEHEDIN MORINA, i cili e kishte braktisur Holandën, për të qenë në rreshtat e parë të çlirimtarëve. Ai erdhi për të vetmin qëllim: të luftonte për çlirimin e atdheut nga shkelësit sllavë.
Luftëtarët e përkushtuar, siç ishte Mehedini, asnjëherë nuk e zgjedhin vendin ku do të luftojnë, nuk e dinë vendin se ku do të vriten, por një gjë e dinin mirë, për qëllimin dhe idealin e lirisë, luftojnë kudo dhe aty ku ka më së shumti ka nevojë për ta – pa i thirrur dikush, vijnë vetë. Mehedinin nuk e thirrëm, por ai erdhi sepse ia dinte plagët atdheut, të cilat ishin edhe plagë të tij të zemrës dhe të shpirtit.
Rënia në detyrë e trimit nga Gllareva është vetëm një dëshmi, se lufta jonë bëhej për mbrojtjen dhe çlirimin e pragut të të gjitha shtëpive dhe familjeve shqiptare dhe çlirimin e bashkimin kombëtar.
Ne bashkëluftëtarët e tij nga Anadrinia, i përkulemi përjetësisht kujtimit dhe veprës së Mehedin Morinës, nderit dhe burrërisë që ai na la kujtim dhe amanet.
I paharruar kujtimi për MEHEDIN MORINËN!
Lavdi për jetë e mot veprës së tij të pavdekshme!
Lavdi përjetë martirëve të lirisë!