Osmani viziton familjet e heroit Ismet Rrahmani

Presidentja Vjosa Osmani ka vizituar familjen e heroit të kombit, Ismet Rrahmani në fshatin Açarevë të Skenderajt.

Në përvjetorin e rënies së tij, Osmani vlerësoi lart jetën dhe veprën e heroit Ismet Rrahmani, teksa shtoi se si mësues ai edukoi shumë breza, por u transformua në luftëtar të lirisë, duke u bërë model i kombinimit të dijes dhe guximit.

Ky është statusi i Osmanit:

Sot, në përvjetorin e rënies së heroit të kombit, Ismet Rrahmani, vizitova familjen e tij në Açarevë të Skënderajt, për ta kujtuar bashkë me familjen dhe miqtë e tij veprën heroike të tij për atdheun dhe kombin.

Ismeti e shndërroi misionin për arsimimin e brezave në mision për liri. Si mësues ai edukoi shumë breza, por u transformua në luftëtar të lirisë, duke u bërë model i kombinimit të dijes dhe guximit. Këtyre idealeve ua kushtoi tërë jetën, deri në ditën që e përmbylli angazhimin e tij jetësor në shërbim të vendit, duke rënë në altarin e lirisë.