Osmani pritet nga kryeministri grek: Kosova gati t’i thellojë marrëdhëniet me Greqinë

Presidentja Vjosa Osmani është pritur sot në takim nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në kuadër të Samitit të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore (SEECP).

Osmani, në takim me kryeministrin grek, ka vlerësuar ngritjen e vazhdueshme të raporteve në mes të Kosovës dhe Greqisë dhe takimet e shtuara në mes liderëve të dy vendeve tona.

“Ekonomia, tregtia e turizmi janë disa nga fushat më të rëndësishme në fokus të bashkëpunimit kosovaro-grek, për të cilat si krerë shtetërorë po punojmë bashkërisht t’i avancojmë, për t’i përafruar edhe më shumë dy popujt tanë dhe bizneset tona”, tha ajo, duke përmendur gatishmërinë e Kosovës që t’i thellojë tutje marrëdhëniet me Greqinë.

Osmani dhe Mitsotakis kanë biseduar edhe për luftën në Ukrainë dhe nevojën që demokracitë të qëndrojnë të bashkuara karshi sfidimit të vlerave euro-atlantike.

Presidentja kosovare ka nënvizuar nevojën për vëmendje të partnerëve euro-atlantik për rajonin, sidomos ndaj veprimeve që kanë për qëllim të destabilizojnë stabilitetin dhe paqen e fituar me mund në rajonin tonë.

Osmani ka theksuar se mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe integrimi euro-atlantik duhet të shihen edhe nga prizmi i sigurisë, sepse vetëm kështu mund të garantohet avancimi i demokracisë, të drejtave të njeriut, sigurisë dhe paqes në rajon dhe më gjerë.

Presidentja kosovare në Greqi do të marrë pjesë në darkën zyrtare të Samitit me kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz, që sot ishte në Prishtinë dhe Beograd, dhe me presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel.