Osmani pas miratimit të raportit: Me aleatët drejt anëtarësimit në KiE

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas kalimit të pikës së raportimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në takimin e Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Demokraci, që u mbajt sot në Paris.

E para e shtetit ka thënë se institucionet e vendit do të vazhdojnë të punojnë me aleatët drejt anëtarësimit në KiE.

“Edhe një hap. Pas miratimit të raportit në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Demokraci, tani anëtarësimi i Kosovës në KiE do të vazhdojë në Asamblenë Parlamentare. Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të kenë akses të drejtë në instrumentet e KiE përmes anëtarësimit të plotë të Kosovës”, ka shkruar Osmani në platformën X.

Raporti në Komisionin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka kaluar me 31 vota për, 4 kundër e 1 abstenim.