Osmani në Austri: Integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani po merr pjesë në edicionin e sivjetëm të Forumit Europian Alpbach 2023, që po mbahet në Alpbach të Austrisë.

Ajo thekson se tema e sivjetme është “Një Evropë e guximshme”, derisa njofton se diskutoi në panelin kryesor.

“Zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet demokratike të Ballkanit Perëndimor, mbrojtja e parimeve dhe vlerave të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe unifikimi në luftimin e autokracive e tiranive, janë tiparet që e bëjnë një Evropë të guximshme. Pavarësisht se është rrugë e gjatë dhe e mundimshme, integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën.Familja euro-atlantike është familja jonë!”, shkruan Osmani.