Numri 62 i PDK-së Arta Pantina, mirëpritet më Gjurgjevik të Vogël nga familja Aliu që jeton në Diasporë

Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Arta Pantina ka njoftuar për një vizitë në Gjurgjuvik të Vogël, ku ishte e ftuar në familjen e Axhi Aliut dhe të djemve e nipave të tij, të cilët veprojnë në diasporë.

Në një postim të saj, Pantina ka theksuar se kjo familje, ndonëse jeton dhe vepron jashtë vendit, nuk e ka harruar kurrë dashurinë për atdheun dhe vlerat e trashëguara brez pas brezi.

“Në atë shtëpi, simbolet e UÇK-së dhe simbolet atdhetare nuk mungonin në asnjë cep – jo si zbukurim, por si dëshmi e një historie të jetuar me krenari, sakrificë dhe besnikëri ndaj atdheut,” ka shkruar ajo.

Pantina ka vlerësuar mikpritjen dhe mbështetjen e kësaj familjeje, duke e cilësuar si nder të veçantë të jetë e mirëpritur në një shtëpi ku fjala atdhe ka kuptim të thellë dhe respekti për sakrificën është i shenjtë.

“E vlerësoj sinqerisht mbështetjen dhe përkrahjen e kësaj familjeje fisnike, me besimin se dalim gjithmonë faqe bardhë përballë historisë dhe përgjegjësisë që kemi ndaj vendit tonë,” ka përfunduar Pantina.

Arta Pantina garon në zgjedhje si kandidate për deputete nga PDK me numrin 62, në listën e udhëhequr nga kandidati për kryeministër Bedri Hamza.