(FOTO) Konfiskohen tre kallashnikovë në Vërmicë, arrestohen dy shtetas të Shqipërisë

Tre kallashnikovë të fshehur në njërën nga ulëset e një veture janë gjetur dhe konfiskuar sot  nga Dogana e Kosovës.

Sipas njoftimit të Doganës, njësitet e anti-kontrabandës kanë gjetur tre kallashnikovë të cilat dy shtetasit e Shqipërisë i kishin fshehur brenda automjetit me targa të Shqipërisë.

Të dyshuarit ishin kaluar në pikën kufitare në Vërmicë ndërsa gjetja e armëve u bë pas një kontrolli rutinor të pjesëtarëve të doganës.

“Gjatë kontrollit nën ulësen e bashkudhëtarit janë gjetur të çmontuara tre armët AK47”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Personat janë ndaluar si dhe automjeti është kontrolluar në detaje, derisa rasti tutje është përcjell tek Policia e Kosovës për hetime të mëtejme.