Një person i dyshuar me veturë afër ndërtesës së AKI-së, arrestohet nga Policia

E plotësuar: Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Telegrafin se sot, 09 tetor 2020, rreth orës 06:15, ka pranuar një informacion se në rrugën Prishtinë drejtimi i Fushë Kosovës, gjendet një person i dyshuar me një veturë.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës tha për Telegrafin se njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme në vendin e ngjarjes, ku personin e  dyshuar e kanë ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor.

“Në vendin e ngjarjes janë dalë edhe njësitet kompetente policore të cilat janë duke kryer veprimet e mëtejme policore. Rruga në drejtim të Fushë Kosovës është bllokuar, përderisa të përfundojë kryerja e vendshiqimit të vendit të ngjarjes”, tha ai.

Policia afër ndërtesës së AKI-së, nuk lejohet qarkullimi

E plotësuar: Policia e Kosovës sot në orët e hershme të mëngjesit është parë afër ndërtesës së Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.

Në këtë pjesë janë vendos shirit të sigurisë dhe është ndaluar qarkullimi i automjeteve.

Në vendin e ngjarjes kanë arritur edhe zjarrfikësit.

Telegrafi ka kontaktuar me Policinë e Kosovës por që ende nuk janë përgjigjur.