Një javë nga incidenti tragjik ku u vra polici Bunjaku – Sulmi terrorist i grupit të udhëhequr nga krimineli Radoiçiq

Sot bëhen 1 javë nga një prej incidenteve më tragjike në veri, ku u vra zyrtari policor i Kosovës, Afrim Bunjaku, gjatë sulmeve terroriste të kryera nga grupi që udhëhiqej nga kryekrimineli, Milan Radoiçiq. Nga ajo ditë kanë nisur tensionet në këtë zonë.

Raketahedhës, granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë. Të gjitha këto janë pjesë e arsenalit të madh të armëve dhe municioneve që u gjetën në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku pas një sulmi mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishte edhe një përleshje të armatosur.

Natën mes së shtunës dhe së dielës, një grup i maskuar dhe i armatosur ngriti fillimisht një barrikadë në hyrje të fshatit Banjskë dhe më pas sulmoi Policinë e Kosovës. Nga sulmi mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, ndërsa disa të tjerë u plagosën.

Siç rezultoi nga hetimet, disa sulmues më pas u larguan nga territori i Kosovës, ndërsa disa u strehuan në manastirin e Banjskës, nga ku u përleshën me Policinë e Kosovës.

Të premten, Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.

Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Radoiçiqi është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar.

Ndryshe, të shtunën është vërejtur lëvizja e një autokolone ushtarake në jug të Serbisë, nga drejtimi i Vranjës në drejtim të Nishit, afër qytetit të Predejanës, pas shqetësimeve që Uashingtoni dhe Brukseli shprehën për zhvendosjen e forcave serbe përgjatë kufirit me Kosovën.

Kolona me automjete të ushtrisë serbe, siç raportoi REL, rreth mesditës po lëvizte nga jugu në veri të vendit.

Qeveria e Kosovës më pas i bëri thirrje të shtunën vonë Serbisë t’i tërheqë trupat ushtarake nga vija kufitare me të.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me vëmendje dhe vigjilencë është duke ndjekur zhvillimet e ​fundit sa i përket lëvizjes së njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës”, tha Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media.