Ngritët aktakuzë ndaj Haxhi Shalës

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shala po akuzohet nga Prokuroria Speciale se ka kryer veprën penale “falsifikim i rezultateve të votimit”, shkruan Insajderin.

Prokuroria po e akuzon Shalën se në mënyrë të kundërligjshme iu janë shtuar tri vota në zgjedhjet e 2021-ës.

Së bashku me ish-deputetin e AAK-së janë akuzuar edhe 6 persona tjerë.

“Në mesin e të akuzuarve janë:  H. Sh. Ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),  të pandehurve S. M., A.K., I. H., G. H., dhe D. G. që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe të pandehurit P.P”, thuhet në njoftim përcjell Insajderi.

Sipas prokurorisë, hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete M. H. S. nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit H. Sh. ia kanë shtuar 3 vota.

“Hetimet arritën të dëshmojnë përfshirjen e kandidatit H. Sh në kryerjen e veprës penale, mirëpo nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar se M. H. S. ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.