Nga 5 prilli nis regjistrimi i popullsisë, rezultatet pas 3 muajsh – kosovarët do të pyeten edhe për religjionin

Nga 5 prilli nis regjistrimi i popullsisë, rezultatet pas 3 muajsh – kosovarët do të pyeten edhe për religjionin

Viber IconINDEKSONLINEE Enjte, 28 Mars 2024 12:21
Nga 5 prilli, Kosova do të fillojë procesin për ta regjistruar popullsinë në tërë territorin e saj. Ky proces pritet të zgjasë rreth gjashtë javë dhe do të jap një pasqyrë gjithëpërfshirëse të kushteve jetësore dhe sociale të njerëzve.

Do të regjistrohen banorët rezidentë, por edhe mërgata. Janë gjithsej shtatë pyetësorë për plotësim, përfshirë edhe ai për dëmet nga lufta 1998/1999. Gazeta Express ka listuar një përmbledhje të asaj se çka duhet të dini rreth këtij procesi dhe pyetjeve që obligoheni t’u përgjigjeni.

Pas më shumë se dy vjetësh zvarritje, Kosova më në fund do të numërojë banorët e saj, ekonomitë familjare dhe banesat/shtëpitë, përfshirë edhe në veri të vendit. Procesi do të fillojë të premten e javës së ardhshme, e do të zgjasë deri më 17 maj.

Në Regjistrimin e Popullsisë do të angazhohen rreth 3 mijë e 500 regjistrues dhe 891 mbikëqyrës, si dhe stafi i ASK-së.

Këtë herë, janë shtatë pyetësorë që duhet të plotësohen. Në këtë regjistrim, është shtuar edhe pyetësori për dëmet e luftës dhe pyetësori për regjistrimin e bashkëatdhetarëve.

Mbledhjen e këtyre të dhënave, Agjencia e Statistikave e arsyeston me rëndësinë për të bërë politika më të mira për vendin, për ta planifikuar buxhetin dhe investimet, për t’i përmirësuar kushtet e jetesës në vend dhe për investime të huaja.

Sipas ligjit, çdo banor i Republikës së Kosovës detyrohet, që gjatë Regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t`ia ofrojë të gjitha të dhënat e sakta në pyetësorët e Regjistrimit të Popullsisë.

Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.

Pyetësori individual

Në pyetësorin individual janë gjithsej 42 pyetje. Tek ky formular është përfshirë edhe deklarimi për besimin fetar. Poshtë pyetjes sqarohet se sipas Kushtetutës së Kosovës, personi i regjistruar mund të zgjedh që të mos e deklarojë. I njëjti sqarim gjendet edhe poshtë pyetjes për përkatësinë etnike.

Pyetjet në vijim janë për nënshtetësinë, vendbanimin, shkollimin dhe punësimin.

“Nëse do të gjenit punë, a jeni të gatshëm të filloni punën në dy javët e ardhshme”, është njëra nga pyetjet.

Në fund të formularit, ka edhe pyetje për udhëtimin dhe llojin e transportit që e përdorin qytetarët për udhëtim, ku jepen 14 opisione.

“Për shembull, për Prishtinën, ne mund të dimë në bazë të përgjigjeve se sa është fluksi me trotinet, sa me autobus apo taksi, prandaj këto të dhëna janë shumë të rëndësishme. Është e rëndësishme saktësia e të dhënave, duhet të tregohet realiteti”, është arsyetimi që ka dhënë Agjencia e Statistikave të Kosovës për këtë pyetje.

Në pyetësorin individual, njëra prej pyetjeve është, edhe nëse personi që regjistrohet ka vështirësi në shikim, dëgjim, ecje, përqëndrim apo të mbajturit mend, vështirësi në kujdesin e përditshëm dhe në komunikim. Kjo pyetje pasohet nga ajo për periudhën se kur janë shfaqur këto vështirësi.