Në Klinë do të fillojë realizimi i projektit “Praxis” nga Caritas Kosova

Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, z. Enver Gashi, kanë pritur sot në takim drejtorin e Caritas Kosova, z. Alfred Pjetrin, z. Vladimir Jovanovic, koordinator i projektit “Praxis” dhe z. Mark Buzhalen, orientues i karrierës në Caritas Kosova.

Temë e diskutimit ka qenë realizimi i projektit “Praxis” në Komunën e Klinës, si njëra nga dy komunat e Kosovës të përzgjedhura për këtë projekt, bashkë me Komunën e Gjakovës dhe tri komuna në Mal të Zi.

Z. Alfred Pjetri theksoi se “Praxis” është një projekt ndërkufitar i financuar nga Bashkimi Europian dhe do të realizohet brenda një periudhe dy vjeçare dhe synon të përgatis kuadro për tregun e punës.

Kryetari Elezaj falënderoi z. Pjetri dhe zyrtarët e Caritas Kosova për vizitën dhe për përzgjedhjen e Komunës së Klinës për realizimin e këtij projekti dhe theksoi se komuna me të gjitha kapacitetet e veta do të mbështesë realizimin e projektit.

Ky projekt është i dedikuar për të rinjtë dhe do të i`u sigurojë atyre informacionet e nevojshme për vendimmarrje të duhur dhe orientim në karrierë.