MPJ: Trupat e dy kosovarëve që vdiqën në Hungari pritet të kthehen sot në Kosovë

Trupat e Kushtrim Hoxhës dhe Jetmir Rexhepit, dy kosovarëve që vdiqën në aksidentin në Hungari, pritet të kthehen sot në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministres Donika Gërvalla-Schwarz.

“Sot me datë 10.01.2024, familjarët kanë tërhequr trupat e familjarëve të tyre dhe sot bëhet kthimi i tyre në Kosovë. Po ashtu kemi kërkuar nga autoritetet hungareze që sa më shpejtë të kryhen procedurat dhe dje, me datë 09.01.2024 është bërë obduksioni”.

“Pas aksidentit autoritetet hungareze kanë kryer procedurat zyrtare që duhet ndjekur duke përfshirë raportin e aksidentit rrugor dhe atë të mjekësisë ligjore, procedurat e obduksionit (autopsisë) dhe të identifikimit. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla edhe njëherë i shpreh ngushëllime familjes Hoxhaj dhe Rexhepi për humbjen e më të dashurve të tyre”, tha Sahiti për KK.

Dy kosovarë kanë vdekur pas një aksidenti që ndodhi më 6 janar në Hungari. Lajmin për vdekjen e tyre e pati konfirmuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Përmes një njoftimi në Facebook, ajo tha se institucioni që drejton po punon me autoritetet e Hungarisë për kthimin e trupave në Kosovë.

“Me dhimbje morëm lajmin për vdekjen e dy shtetasve të Republikës së Kosovës, K.H dhe J.R, në një aksident trafiku në Hungari” – ka shkruar Gërvalla.

“Sapo kontaktova me familjarë të viktimave dhe iu shpreha ngushëllime për humbjen e më të dashurve të tyre. Njëkohësisht i sigurova për mbështetjen institucionale, teksa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes misioneve diplomatike në Hungari dhe Gjermani, bashkë me autoritetet hungareze, po kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për kthimin e trupave të tyre” – thuhej në njoftimin e ministres së Jashtme dhe Diasporës.