Mosrespektimi i masave anti-COVID: Për tre muaj, policia ka shqiptuar mbi 78 mijë gjoba në vlerë 2.7 milionë euro

Që nga 26 gushti kur ka hyrë në fuqi Ligji antiCovid në Kosovë janë dënuar 78 mijë e 878 qytetarë, për shkak se nuk kanë respektuar masat antiCovid.

Zyra për media në Policinë e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin ka konfirmuar se në gjithë territorin e Kosovës deri tani janë dënuar 78 mijë e 878 qytetarë.

“Nga data 26.08.2017, kur ka filluar së zbatuari ligji anti-COVID, janë shqiptuar 78878 gjoba”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Sipas Ligjit antiCovid personi fizik i cili nuk respekton vendimin për mbajtjen e maskës, mbajtjen e distancës fizike, dënohet me gjobë 35 euro. Që rrjedhimisht i bie që Policia e Kosovës ka mbledhur 2.7 milionë euro nga gjobat e shqiptuara.

Ndërkohë, për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja antiCovid, të cilat kanë hyrë në fuqi nga data 13 nëntor. Me masat e reja të vendosura komunat janë kategorizuar sipas shkallës së rrezikshmërisë së infektimit.

Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 855 raste të reja, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 885. Raste aktive janë 12 mijë e 220/