Mjekë dhe ekspertë nga Turqia vijnë në Kosovë, do të kryejnë operacione kardiokirurgjike dhe intervenime të tjera

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ambasadori turk Tunç Angili dhe drejtori i SHSKUK’së, z.Elvir Azizi, sot kanë mirëpritur ekipin e mjekëve dhe ekspertëve nga Turqia.

Ata gjatë javës do të kryejnë 16 operacione kardiokirurgjike tek fëmijët me probleme në zemër si dhe do të realizojnë 30 intervenime të tjera kardiologjike, përfshirë koronarografi dhe stentime dhe raste elektrofiziologjike

Vitia ka falenderuar ambasadorin turk dhe ekspertët nga Turqia për kontributin e vazhdueshëm që po japin për shëndetësinë kosovare. Ai tha se MSH është e përkushtuar për avancim të shërbimeve shëndetësore, andaj përkrahja dhe mbështetja e ekspertëve është e mirëseardhur.

Ambasadori Angili tha se ndihet i nderuar që është pjesë e këtij organizimi.