Mirënjohje për autorin dhe publicistin Ramiz Selimi nga Komuna e Klinës

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, priti sot në një takim autorin dhe publicistin Ramiz Selimi, pas promovimit të suksesshëm të librit të tij publicistik “Kthimi i Trurit”. Në këtë takim, ku mori pjesë edhe drejtori i Inspektoratit, z. Faruk Smajli, kryetari Elezaj i dorëzoi z. Selimi një mirënjohje në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të çmuar në fushën e letërsisë dhe publicistikës.

Në fjalën e tij, kryetari Elezaj vlerësoi lart veprën “Kthimi i Trurit”, duke e cilësuar si një krijimtari letrare-artistike me vlera të larta kombëtare dhe intelektuale. Ai e përshkroi autorin Selimi si një misionar të përkushtuar të çështjes shtetërore dhe kombëtare, gjithnjë në shërbim të atdheut, kombit dhe gjuhës shqipe.

“Ramiz Selimi me veprat e tij dëshmon përkushtim të rrallë ndaj vlerave të mirëfillta letrare dhe intelektuale, duke ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kombëtar,” tha kryetari Elezaj.

Komuna e Klinës riafirmon përkushtimin e saj për të mbështetur krijuesit, intelektualët dhe të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin kulturor dhe në promovimin e vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare.