Ministria tregon se cilat rrugë janë bllokuar nga vërshimet

Ministria e Infrastrukturës ka bërë të ditur se disa rrugë në Kosovë janë bllokuar nga vërshimet, ndërsa disa të tjera, pas ndërhyrjeve të ekipeve emergjente, janë liruar për qarkullim.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Infrastrukturës njofton se në rrugën Prishtinë – Pejë, N9, te “Kroni i Mbretit”, është bllokuar rruga për shkak të ujërave, mirëpo është intervenuar dhe është zhbllokuar nga kompanitë e mirëmbajtjes dhe policia është në vendngjarje.

Në regjionin e Gjilanit 2, rruga R 124, drejtimi Kamenicë – Strezovc, është e bllokuar për shkak të dëmtimit të urës nga vërshimet e ujit.

Në pjesën dalëse te autoudhës R7 (Ibrahim Rugova), në Mazgit, që lidhet me rrugën nacionale N2, kemi plasaritje (deformim) të rrugës, është sinjalizuar ajo pjesë e rrugës dhe po kujdeset kompania e mirëmbajtjes që komunikacioni të lehtësohet.

Në pjesën Gjilani 1 gjendja e rrugëve është e mirë, ka pasur të reshura të shiut dhe si pasojë dhe ka pasur erodime të gurëve, është intervenuar në largimin e tyre në të gjitha drejtimet. Ka vështirësi gjatë qarkullimit të automjeteve, por me kujdes të shtuar mund të kalohet.

Ne pjesën Ferizaj 1, rruga Brezovicë – Sharr, ka dy pengesa, të cilat është intervenuar nga ekipet e mirëmbajtjes. Punimet që janë zhvilluar dhe vazhdojnë në vendosjen e disa gypave për ndërtimin e një hidrocentrali përgjatë kësaj rruge, në këtë vit (2020), kanë bërë që të ngushtohet trupi i rrugës, parkingjet që kanë qenë janë dëmtuar, mirëpo rruga është e kalueshme me kujdes të shtuar.

Si pasojë e këtyre dy problemeve të lartshënuara intervenimi është bërë shumë i vështirë, pothuajse i pamundur, problem tjetër është mungesa e parkingjeve dhe si pasojë e kësaj automjetet parkohen në rrugë, duke na e bërë të pamundur në disa raste depërtimin e kompanive në atë pjesë.

Në pjesën Gjilani 2, në disa pjesë, për shkak të reshjeve të shiut ka erodime dhe rrëshqitje të dheut (Rr. Shpashnicë e Epërme – Desivojcë, kilometri 55-60), por që është intervenuar.

Në regjionin Peja 1 ka pasur reshje të borës, po ashtu ka edhe reshje të shiut me akull. Vazhdimisht është bërë largimi i borës dhe shpërndarja e kripës. Të gjitha rrugët janë të kalueshme.

Për shkak të reshjeve të shiut dhe shkrirjes së borë në rrugën N2 Prishtinë – QMI, afër rreth rrotullimit në QMI ka grumbullim të ujit në shtresa qarkulluese si pasojë e nivelimit të pronave përreth rrugës. Ne me ekipet tona në asistim me Policinë e Kosovës, si masë preventive, kemi bërë mbylljen e qarkullimit në këtë segment rrugor nga rrethrrotullimi mbi hekurudhë deri në rreth rrotullim të QMI-së. Po ashtu kemi bërë hapjen e një kanali nëpër prona private, në mënyrë që të vijë deri te largimi i ujit nga shtresat qarkulluese po largimi i ujit po vazhdon me një intensitet të vogël, pasi ka grumbullim të ujit edhe në pronat rreth rrugës.

Është bërë largimi i materialit të eroduar nga shtresat qarkulluese në rrugët : Veternik-Llabjan, Shtime – Carraleve, Prishtinë – Mutivodë dhe Komoran – Carralevë.

Në rrugën Ferizaj – Gjilan, konkretisht në Sojevë, ka vërshime shkaku i të reshurave, mirëpo kompania e mirëmbajtjes dhe Policia e Kosovës po kujdesen që t’i orientojnë shoferët në rrugë alternative.

Ministria e Infrastrukturës lut të gjithë qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes. Reshjet e shiut kanë bërë që të ketë vërshime në shumë rrugë, por po punohet që qarkullimi të jetë normal. Ministria e Infrastrukturës do t’ju mbajë të informuar për çdo ndryshim.