MËMËDHEU IM

Mëmëdheun tim e njoha së pari herë
në librat ilegalë,
në burgun dhe në përjashtimin
e mësuesve të mi në gjimnaz.

Mëmëdheu im nuk ishte
as ai që kisha në librin e historisë
as ai që shihja në hartën e gjeografisë.

Mëmëdheu im nuk është as ky
që mësohet sot në shkollë.

Se asnjë libër, asnjë hartë s’e mban
mëmëdheun tim që njoha së pari herë
në librat ilegalë,
në burgun dhe në përjashtimin
e mësuesve të mi në gjimnaz.

GJENETIKË BASTARDE

Tha bijat e bijave
Tha bijtë e bijve
Tha bimët e bimëve
Tha qentë e qenve
Tha kafshët e kafshëve
Tha gjithçka vjen bre
Tha prej paraardhësve
Tha gjenetikë
Tha pikë

I thanë pse kështu the
I thanë as që the gjë
I thanë me një zë
I thanë çfarë gjenetike
I thanë çfarë pike

O i thanë çne
O i thanë tjetër gjenetikë
O i thanë bre kemi ne

MBI ÇKA SHKELE

Mbi cilën perlë
të Mesdheut
shpirtin tim e shkele
kësaj here?

Sepse ka punë
me ta çue ftesën
për rreshtin e parë
në tribunë,
ka punë.

Sa kalorës të mjegullës
me sa vrança të zinj
ta sollën ftesën
e ta morën ndërgjegjen?
Asgjë mos më thuaj mua,
të lutem,
përgjigjiu sall vetvetes,
nëse mundesh.