Mehmeti në Komision: Testin e policisë s’e kaluan njerëzit që patën sukses të mjaftueshëm

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, është duke raportuar në Komisionin për Siguri, ku përveç të tjerash foli edhe për testin e policisë.

Ai ka thënë se për përpilimin e këtij testi janë konsultuar me profesor të Fakultetit të Edukimit, duke thënë se janë fokusuar në njohuritë e përgjithshme dhe jo në ato akademike.

Mehmeti më tej ka thënë se për konkursin për 250 zyrtarë policorë kanë aplikuar mbi 11 mijë persona, kurse vetëm 1000 e kanë kaluar.

Pas mbylljes së konkursit është themeluar komisioni përgjegjës për mbarëvajtjen dhe mbikëqyrjen e procesit. Për hartimin e pyetjeve nga matematika dhe gjuha shqipe ka pasur konsultim me profesorët e Fakultetit të Edukimit. Kurse nga fushat e përgjithshme Policia e Kosovës ka themeluar grupin punues që pyetjet të jenë të thjeshta, të përgjithshme, pa u thelluar në njohuri akademike, pyetje kryesisht që mësohen në shkollë fillore ose të mesme. Në këtë test me shkrim janë hartuar 6 mijë pyetje. Testi është përbërë nga 100 pyetje dhe ishte koha 2:30 orë”, ka thënë ai në Komision.

Ai ka thënë se kur i kanë shqyrtuar aplikacionet kanë vërejtur se personat, të cilët nuk e kanë kaluar testin kanë pasur sukses të mjaftueshëm në shkollën e mesme.

Kemi pasur për bazë rekrutimin e vitit 2014 dhe 2018. Më 2014-n janë ftuar 19550 kandidatë, prej tyre 2881 e kanë kaluar, kurse kanë dështuar 15000. Më 2018-n numri i kandidatëve ka qenë 16705, e kanë kaluar 3847, kanë dështuar 9 mijë. Më 2021-n 11291 kanë aplikuar, prej të cilëve kanë kaluar 1447”, tha ai.