Mediat në Ukrainë shkruajnë për Rezolutën e miratuar në Parlamentin e Kosovës

Parlamenti i Kosovës, pavarësinë e të cilës Ukraina nuk e njeh, ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe ka shprehur gatishmërinë për të strehuar ukrainasit, që ikin nga lufta.

Lajmi  për miratimin e rezolutës nga Parlamenti i Kosovës ka bërë jehonë në mediat ukrainase, të cilat e kanë pasqyruar ngjarjen në ballinat e tyre.

Një prej tyre është ‘evropskapravda’, ka shkruar se “Kuvendi i Republikës së Kosovës dënon fuqishëm agresionin ushtarak të paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar dhe pushtimin rus të Ukrainës, si dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion”.

“Pro rezolutës votuan 94 deputetë. Nuk pati vota kundër, por Lista Serbe u largua nga salla para votimit”, shkruan më tutje mediumi ukrainas.

Më tej ky medium shkruan se “në rezolutë, deputetët shprehën mbështetjen për Ukrainën, dënuan sulmet ndaj civilëve, përshëndetën fillimin e hetimit të krimeve të luftës nga Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe mbështetën transferimin e çështjes nga Ukraina në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”.

Në rezolutë theksohet se çështja e Kosovës në ish-Jugosllavi dhe ndërhyrja humanitare e NATO-s në Kosovë për të ndalur aparatin shtetëror të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë nuk i ngjajnë Ukrainës së sotme dhe institucioneve të saj legjitime”.

“Ndërhyrja humanitare e NATO-s kishte për qëllim ndalimin e spastrimit etnik në Kosovë dhe shpëtimin e saj nga gjenocidi i shkaktuar nga agresioni i Serbisë, duke dëbuar një milion shqiptarë, vrarë më shumë se 12 mijë civilë, duke përfshirë më shumë se 1,300 fëmijë, kreu më shumë se 400 masakra dhe përdhunoi rreth 2000, gra dhe vajza, dogjën qindra mijëra shtëpi, shkatërruan prona, monumente kulturore, fetare dhe historike”, shkruan gazeta ukrainase.

“Parlamenti gjithashtu mbështeti iniciativën e qeverisë së Kosovës për të pritur 20 gazetarë ukrainas dhe propozoi strehimin e mundshëm të deri në pesëmijë refugjatë nga Ukraina”.

Telegrafi ka ofruar ambientet e veta ku mund të punojnë gazetarët ukrainas, të cilët do të mund të strehohen në Kosovë.

Kujtojmë se pak ditë para fillimit të luftës së gjerë ruse kundër Ukrainës, në Kosovë u mbajt një aksion solidariteti me Ukrainën, duke theksuar ndërtesën e qeverisë me ngjyrat e flamurit ukrainas.

Një ditë më parë, Kosova i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në vend dhe të përshpejtojnë integrimin në NATO, duke pasur parasysh realitetin e ri të krijuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës