97 viktima në një ditë nga koronavirusi në Itali

Shtohet sërish numri i viktimave të koronavirusit në Itali. Autoritetet italiane thanë se 97 pacientë ndërruan jetë gjatë orëve të fundit, duke e çuar në 463 numrin e përgjithshëm të tyre. Megjithatë shifra e të vdekurve është më e ulët se 24-orëshin e kaluar kur ndërruan jetë një numër rekord prej 133 personash brenda një dite. Ndërsa numri i të prekurve arriti në 7985.

Edhe pse numri i viktimave është më i ulët, krahasuar me shifrat e 24-orëshit të kaluar është ende herët për të folur për një trend rënës të përhapjes, në të cilin mund të kenë ndikuar masat e ashpra të qeverisë italiane që po aplikohen së fundi.

Prej këtyre masave, shpërthyen revolta në 27 burgje të Italisë, gjatë të cilave mbetën të vrarë 6 të burgosur. Ndërsa 20 të tjerë që u përpoqën të arratiseshin, u ndaluan sërish. Revoltat shpërthyen pas hyrjes në fuqi të rregullit të jashtëzakonshëm që ndalon vizitat në burgje nga të afërm dhe miq të të burgosurve, nga frika e përhapjes së virusit brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Pamja në stacionet e trenit në Milano, ku është në fuqi karantina, duket si gjendje lufte. Udhëtarët pyeten nga ushtria me detaje se ku duan të shkojnë.

Ndërsa në duar duhet të mbajnë një autorizim të plotësuar nga autoritetet.

Gjermania ka shënuar dy të vdekurit e parë nga koronavirusi, atje ku numërohen 1112 të prekur.

Në Greqi numri i të infektuarve ka arritur në 84. Një 40-vjeçare rezultoi pozitive në ishullin Lesbos, ku po ashtu strehohen 19 mijë emigrantë, atje ku kampet e pritjes janë mbushur disa herë mbi kapacitetet dhe ku rreziku i infektimit të tyre është tepër i lartë për shkak të kushteve tepër të këqija shëndetësore.

Rritje të numrit të viktimave ka pasur edhe në Iran, ku aktualisht numërohen 237 të vdekur e mbi 7100 të infektuar. Autoritetet kanë nisur dërgimin e mbi 50 mijë të burgosurve për krime jo të rënda në arrest shtëpie, në përpjekje për të shmangur përhapjen e koronavirusit nëpër burgje.

Kina dhe Koreja e Jugut kanë njoftuar numrin më të ulët të rasteve të reja të infektimit që prej Janarit kur nisi përhapja e koronavirusit. Vetëm në Kinë ka pasur 40 pacientë të infektuar. Numri i viktimave në gjithë botën ka arritur në mbi 3800 ndërsa ai i të infektuarve më shumë se 110 mijë.

Tv Klan