Mbi 200 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve

Më shumë se dy dekada pas luftës në Kosovë, siguria publike ende nuk ka arritur në nivelin e duhur. Kjo për faktin se ekziston një numër enorm i armëve pa leje në duart e qytetarëve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), por edhe të organizatave të huaja, janë mbi 200 mijë armë ilegale tek qytetarët e Kosovës.

Policia e Kosovës (PK) në vazhdimësi konfiskon armë pa leje. Vetëm gjatë vitit 2021 ka konfiskuar 1 mijë e 280 armë dhe mbi 42 mijë municion. Sipas të dhënave të policisë, në pesë vjetët e fundit gjatë realizimit të detyrave të saja hetimore dhe operative, ka konfiskuar mbi 6 mijë armë.

Në vitin 2020, Policia e Kosovës ka konfiskuar gjithsej 1 mijë e 135 armë, në vitin 2019 ka konfiskuar 1 mijë e 439 armë, në vitin 2018 ka konfiskuar 1 mijë e 473 armë dhe në vitin 2017 ka konfiskuar 1 mijë e 211 armë.

Krahas armëve, Policia e Kosovës për pesë vjetët e fundit ka arritur të konfiskojë mbi 150 mijë municion, ku në vitin 2021 ka konfiskuar 42 mijë e 31 municion, në vitin 2020 ka konfiskuar 32 mijë e 747 municion, në vitin 2019 ka konfiskuar 30 mijë e 438 municion, në vitin 2018 ka konfiskuar 23 mijë e 941 municion dhe në vitin 2017 ka konfiskuar 26 mijë e 178 municion.

Pavarësisht kësaj, Destan Mustafa, udhëheqës i Divizionit për Armë dhe Municion në DSP, thotë se viteve të fundit ka ulje të numrit të armëve ilegale në duart e qytetarëve të Kosovës.

Miratimi i Ligjit për armët dhe organizimi i kampanjave për legalizim janë arsyet që ai përmend që kanë ndikuar në uljen e këtij numri.

Numri i madh i armëve pa leje në duart e qytetarëve është vlerësuar si arsye se pse në Kosovë ka numër të lartë të vrasjeve.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2021 në Kosovë kanë ndodhur 27 vrasje. Në vitin 2020 kanë ndodhur 29 vrasje, në vitin 2019 kanë ndodhur 23 vrasje, në vitin 2018 kanë ndodhur 32 vrasje dhe në vitin 2017 kanë ndodhur 27 vrasje.