Luzi: Në Kroaci nuk shkojmë të dorëzuar

Ndihmëstrajneri i Dukagjinit, Artan Luzi, ka thënë se skuadra klinase ka luajtur ashtu siç ishte përgatitur.

Luzi theksoi pas ndeshjes se skuadra e Dukagjinit nuk do të udhëtojë në Kroaci e dorëzuar.

“Kishim përgatitur lojën ashtu siç e patë. Donim të nisnim kundërsulme të shpejta, deri diku e arritëm. Kundërshtari një herë e goditi portën dhe shënoi gol. Është normale në këto lojë, me eksperiencën që ka kundërshtari, të godet. Në aspektin fizik, ata janë para nesh. Duhet t’i falënderoj lojtarët sepse kanë luftuar në çdo top. Kanë vepruar si heronj dhe fjalët më të mira shkojnë për ata, ekipin dhe tifozët”, tha fillimisht Luzi për “ArtMotion”.

Ndihmëstrajneri Luzi foli edhe për kartonin e kuq të trajnerit Armend Dallku. Ai tha se gjyqtari gaboi për shkak se Dallku nuk ishte duke folur me të.

“Sa i përket kartonit, nuk dua ta justifikoj Dallkun. Ai po thërriste lojtarët e vet. Nuk e di pse iu dha kartoni. Në lojërat ndërkombëtare, arbitrat nuk na kuptojnë dhe nuk na tolerojnë. Rijeka është ekip me traditë që luan futboll. Na vuri në vështirësi edhe me qarkullim të topit. Loja jonë është për t’u vlerësuar. Në Kroaci nuk do të shkojmë të dorëzuar. Do ta luajmë lojën tonë, me dinjitet. Do të luftojmë deri në fund. Rezultati është 1:0. Nuk them se mund ta përmbysim rezultatin sepse mund të jetë shumë. Do të ikim atje për ta bërë figurën tonë. Për ta respektuar veten, klubin dhe Kosovën”, ka deklaruar Luzi.