Lista Serbe bojkoton institucionet e Kosovës deri në kthimin në punë të gjyqtares së suspenduar

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka mbajtur fjalim para protestuesve që janë grumbulluar në Mitrovicë të Veriut për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Rakiq nga aty ka thënë se po i dërgojnë mesazh kryeministrit Kurti se nuk janë të frikësuar dhe se do të luftojnë për të drejtat e serbëve në Kosovë.

Rakiq po ashtu tha se përfaqësuesit serbë që punojnë në institucionet e Kosovës nuk do të dalin në punë derisa të kthehet në detyrën e saj gjyqtarja e suspenduar Lilljana Stevanoviq.

“Ky popull, ka përjetuar shumë dhe kemi pritur edhe këtë që pas Marrëveshjes së Brukselit ende jemi në situatë që kemi frikë për jetët tona. Sipas informatave që kemi marrë dje, gjyqtarët serbë nuk kanë dalë sot në punë.

Nga sot, edhe përfaqësuesit politikë që punojmë në institucionet e Kosovë  nuk do të punojmë derisa të kthehet në punë gjyqtarja Lilljana Stevanoviq.

Nuk na kanë frikësuar do të rrimë këtu të bashkuar dhe do të luftojmë për të drejtat tona. I dërgoj mesazh Prishtinës dhe Kurtit dhe Policisë së Kosovës se nuk na kanë frikësuar.  Do të rrimë këtu të bashkuar. Atë që e kanë shqiptarët duam edhe ne, nuk duam asgjë më shumë, t’i marrim apo t’i rrëmbejmë dikujt. Duam atë që na takon, paqen më së pari. Pas takimit me Vuçiqin për herë të parë mbase nuk arritur marrëveshje të përbashkët. Edhe pse i besojmë vetëm atij, nga ajo mbledhje kemi dalë pa marrëveshje.

Ne nuk jemi t’i që shkelim marrëveshjen e Brukselit, Kurti po e bën. Do të rrimë me popullin tonë dhe do ta mbështesim. Kryetar Vuçiq ju lusim ndikoni në BE dhe bashkësinë ndërkombëtare, nuk jemi të frikësuar, jemi në vendin tonë dhe do të rrimë këtu”, tha Rakiq.