Liberalizimi dhe aplikimi në KiE, Kurti: Kosova gjithnjë e më e fuqishme, jemi në rrugë të duhur

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dy lajmet e mira që mori Kosova gjatë kësaj jave, janë konfirmim se shteti ynë është në rrugë e duhur evropiane.

Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka thënë se pas vendimit për liberalizimin e vizave për kosovarët dhe pranimit të aplikimit në Këshillin e Evropës, Kosova po bëhet gjithnjë e më e fuqishme si shtet.

Sipas tij, javën e shkuar, secili qytetar i vendit është ndjerë më evropian se kurrë më parë.

“Javën e kaluar, e edhe këtë javë çdo qytetar i Kosovës është ndjerë më evropian se kurrë. Liberalizimi i vizave kishte ngecur për 14 vite. Parlamenti kaloi vendimin e liberalizimit të vizave, për të nënshkruar pastaj të nesërmen më 19 prill. Nga 1 janari 2024 qytetarët tanë më në fund do të mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende të tjera e të reja evropiane, përfshirë këtu edhe Bullgarinë, Rumaninë e Qipron që nuk janë pjesë e zonës Schengen. Pasaporta jonë do të jetë më e fuqishme, ashtu siç shteti ynë që po bëhet çdo herë e më i fuqishëm. Këtë javë u mor një vendim tjetër i rëndësishëm. Të hënën Komiteti i Ministrave me mbi 1/3 e votave, votoi për pranimin e aplikimit të Kosovë për anëtarësim. Natyrisht që rezultatet gjithnjë e më të mira sa i përket tri vlerave fundamentale kanë ndikuar shumë në këtë arritje të madhe. Këto vendime të rëndësishme në më pak se një javë konfiromojnë rrugën tonë evropiane, konfirmojnë që jemi në rrugën e duhur dhe Kosova i përket Evropës”, tha ai.