Lajçak takon Bislimin në Bruksel, bisedojnë për hapat e ardhshëm në dialog

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar sot në Bruksel, Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialog me Serbinë.

Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ka bërë të ditur se në takimin e sotëm është biseduar për hapat e ardhshëm në dialog.

“Patëm një diskutim të gjatë dhe të detajuar me Besnik Bislimin sot në Bruksel për gjendjen e tanishme dhe hapat e ardhshëm në dialog”, ka shkruar Lajçak.

Takimi i sotëm i Lajçakut mund të jetë në kuadër të përgatitjes së një takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq i paralajmëruar të mbahet në pjesën e dytë të këtij muaji (korrik).

Gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kishte thënë se janë duke punuar për organizimin e takimit Kurti-Vuçiq, i cili pritet të mbahet gjatë muajit korrik.

Ditë më parë nga zyra e kryeministrit Kurti i kanë thënë Telegrafit se ende nuk ka ftesë zyrtare nga Brukseli për një takim të tillë, por ai mund të ndodhë në gjysmën e dytë të korrikut.

Ndërkohë, Lajçak gjatë Forumit të 15-të në Dubrovnik tha se janë gati tri-katër marrëveshje ndërmjet dy palëve dhe se pret që ato të finalizohen së shpejti.

Ai me atë kishte thënë se vlerëson të dyja palët [Kosovën dhe Serbinë] për takimet mujore në nivel të negociatorëve kryesorë dhe shtoi se ekziston marrëveshja që takimet të zhvillohen në nivelin më të lartë [Kurti-Vuçiq].