Shtatë të arrestuar nga aksioni në ndërmarrjen ‘Ambienti’ në Pejë

Krimet Ekonomike në koordinim me Prokurorinë Themelore kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm në Kompaninë Rajonale e cila merret me grumbullimin e mbeturinave ‘Ambienti’ në Pejë,

Prokuroria Themelore në Pejë përmes një komunikate për media ka bërë me dije se gjatë aksionit janë arrestuar nëntë persona, prej të cilëve shtatë kanë përfunduar në ndalim policor.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se sot në orët e mëngjesit, Policia e Kosovës me njësitet relevante ka zbatuar urdhër-kontrollin në ndërmarrjen publike “Ambienti” në Pejë, , ku gjatë këtij operacioni janë shoqëruar në Policinë e Kosovës 9 persona, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të “Ambienti”.

Gjatë urdhër-kontrollit janë siguruar prova të shumta materiale të cilat do shërbejnë për procedurën hetimore në ketë proces penal. Prokurori i shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, ka urdhëruar të ndalohen për 48 orë, 7 persona të cilët dyshohen që me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoriteti zyrtar”, “Legalizimi i përmbajtjes se pavërtetë” dhe “Deklarim i rremë””, thuhet në njoftim.