Lajçak sot viziton Kosovën

Emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirolsav Lajçak, do të vizitojë sot Kosovën pasi që dje ishte në Beograd.

Miroslav Lajçak në Prishtinë pritet të takohet me zëvendëskryeministrin njëkohësisht kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin.

Ende nuk ka konfirmim nëse do mbahet një takim në mes të tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur rreth takimit që ka zhvilluar dje me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në një postim në X, Lajçak ka thënë se me Vuçiqin ka folur për situatën aktuale në dialog.

Sipas tij, pjesë e diskutimit kanë qenë edhe hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar ai.

Kurse, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq takimin me Lajçakun e ka vlerësuar si konstruktiv dhe shumë korrekt.

“Vura në dukje domosdoshmërinë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e BE-së në ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina. Ritheksova gatishmërinë e Republikës së Serbisë për të përmbushur detyrimet e saj, në përputhje me marrëveshjet ligjore ndërkombëtare, duke respektuar Kushtetutën e Republikës Serbe dhe Kartën e OKB-së”, ka shkruar në Vuçiq në Facebook.