Kuvendi i Klinës mban seancën që ishte shtyrë për shkak të COVID-19

Kuvendi i Komunës së Klinës sot ka mbajtur seancën e III-të të rregullt, e cila ishte paraparë të mbahet me datë 27 mars, por për shkak të përhapjes së virusit Covid-19 ishte shtyrë për kohë të pacaktuar.

Të pranishëm ishin kryetari i komunës, Zenun Elezaj, nënkryetari i komunës, Besim Hoti, komandanti i stacionit të policisë në Klinë, Ragip Bytyqi, drejtorë të drejtorive dhe anëtarë të kuvendit.

Seancën e hapi kryesuesi i kuvendit, Fadil Gashi, i cili shprehi falënderim ndaj të gjithë akterëve të angazhuar gjatë kësaj periudhe të pandemisë.

Kuvendi filloi seancën me këtë rend dite:

– arsyetimi i mungesave,
– Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të seancës së kaluar,
– Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimeve të Komitetit për Politikë dhe Financa,
– Shqyrtimi i planit të prokurimit për vitin 2020,
– Shqyrtimi i propozimit për vënie në diskutim publik draft-plotësim-ndryshimeve të rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Klinës,
– Rishikimi i vendimit për Hartat Zonale sipas kërkesës së ministrisë së linjës,
– Vendim për plotësimin e anëtarit të Komitetit Konsultativ për B.ZH.R.MM sipas komisionit intervistues.
Me propozim të kryesuesit të kuvendit, në rend të ditës u përfshinë edhe këto pika të rendit të ditës:
– Propozim-vendimi për anulimin e Festivalit Folklorik “I Këndojmë Lirisë” për këtë vit,
– Ndarja e mjeteve buxhetore për ndërmarrjen publike “Ambienti” në Klinë në vlerë prej 13 000 euro për blerjen e një kamioni,
– Formimi i komisionit për rimëkëmbje për shkak të pandemisë,
– Formimi i komisionit për ndarje të ndihmave,
– Propozim-vendimi për lirimin e përkohshëm nga gjobat e regjistrimit të lindjeve dhe vdekjeve si dhe shtyrja e afatit për shpenzime të varrimit. Të gjitha këto të përfshihen nga data 13 mars 2020.

Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan.