Kush është punëtori i Neptunit që u arrestua nën dyshimet se përfitoi mijëra euro nga kartelat e klientëve

Përgjegjësi në kompaninë “Neptun”, dega në Podujevë, Avdyl Selimi është personi që u prangos dje nga Krimet Kibernetike, nën dyshimet për vjedhjen e të dhënave nga kartelat bankare të klientëve, të cilat i ka shfrytëzuar për blerje të kriptovalutave.

Selimi u ndalua për 48 orë pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Sipas Prokurorisë, “i njëjti dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, duke keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve, dyshohet se ka vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve, të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si përgjegjës i ndërrimit, dhe pastaj këto të dhëna i njëjti i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, të cilat më pas i ka shitur dhe me këtë rast dyshohet se ka përfituar mjete-para në vlerë prej mbi 5,000.00 €. “

Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari ka fotografuar kartelat bankare në momentin kur klientët ia kanë dhënë kartelën arkatarës për të bërë pagesë.

“Në disa raste i dyshuari e ka marrë kartelën e bankës nga arkatarja dhe në mënyrë të fshehtë me telefonin e tij i ka fotografuar kartelat në të dy anët me qëllim që këto të dhëna pastaj ti përdor për përfitime materiale në mënyrë të kundërligjshme. Në këtë rast janë identifikuar disa të dëmtuar në disa banka të ndryshme të Kosovës, dhe dëmi i shkaktuar është disa mijëra euro.”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

SHARE