Kush është personi që tokën e blerë nga shteti për 10 euro arin, të njëjtit ia shiti për 700 euro (VIDEO)

Me anë të procesit të privatizimit, mbi 1 mijë hektarë tokë të ish-ndërmarrjes “Mirusha”, kaluan në pronësi të Ahmet Rrahmanajt.

10 euro e 66 centë për ari, ishte çmimi më i lartë nga tetë oferta sa u paraqiten gjithsej në këtë proces. Kësisoj, me 1.2 milion euro, Rrahmanaj në vitin 2009 arriti të privatizonte mbi 1 mijë hektarë tokë, raporton Kiks Kosova.

Nga kjo sipërfaqe, mbi 10 hektarë me të njëjtin çmim që e bleu nga shteti, Rrahmanaj, pas privatizimit, thotë se ia shiti ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj.

Por, pesë vjet më vonë, Rrahmanaj në një intervistë për Kiksin, ndryshoi deklaratën. Tani, në vitin 2023, ai thotë se ishin familja Limaj ata që kërkuan të blinin tokë nga ai.

Dhe vetëm dy vjet më vonë, më 2011, autostrada “Rruga e Kombit”, e cila më vonë do të emërtohej “Ibrahim Rugova”, e paraparë të kalonte në Duhël, devijoi për në Malishevë dhe traseja e saj u ndërtua në mbi 8 hektarë tokë të Rrahmanajt.

Mirëpo, tani vlerësimi i tokës u bë ndryshe. Derisa në vitin 2009, një ari tokë Rrahmanaj e privatizoi për 10 euro e 66 centë, në vitin 2011 shteti për shpronësimin e kësaj toke, i pagoi atij deri në 700 euro për ari.

Me të njëjtin çmim, Rrahmanaj thotë se e preu pazarin për 10 hektarë edhe me ish-deputetin Haxhi Shala, parcelë të cilën thotë se ish-deputeti e ndau me familjarët e Limajt.

Tokë nga prona që e privatizoi, Rrahmanaj deklaroi se i shiti edhe ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begajt, për të cilin thotë se ka qenë gjithashtu ofertues në procesin e privatizimit në AKM.

Ndonëse fillimisht thotë se nuk deshi t’i shiste fare tokë, me ndërmjetësimin e shokëve, Rrahmanaj pohon se me Begajn bënë pazar për 4 hektarë, të cilat kaluan në emrin e vëllait të këtij të fundit.

Ani pse e pranon vetë se u shiti tokë figurave të larta politike të asaj kohe, me të njëjtin çmim që e bleu vetë, Rrahmanaj e mohon se ka pasur marrëveshje me ta para procesit të privatizimit.

Rrahmanaj nuk e pranon as që ka qenë në dijeni se vetëm dy vjet më vonë, autostrada do të kalonte në pronën që e privatizoi, ani pse ministër i Transportit në atë kohë ishte Limaj dhe devijimi i autostradës u bë pikërisht me vendimin e tij.

Rrahmanaj e mohon se ka qenë i nxitur nga dikush ose të ketë marrë borxh nga Limaj e Shala për privatizimin e këtyre pronave.

Ai thotë se kur i bleu pronat planifikonte të zhvillonte biznesin familjar, pasi që nuk e dinte se do të kishte kaq shumë pretendentë për pronësinë e tyre. Megjithatë, thotë se me shitjen e tyre, nxori fitim.

Më shumë se 1 mijë hektarë që i bleu përmes procesit të privatizimit, Rrahmanaj sot ka në pronësi vetëm 200 hektarë, mirëpo pjesa dërrmuese e tyre thotë se vazhdon të shfrytëzohet nga banorët të cilët pretendojnë se janë pronarë legjitim të tyre.