Kurti: Vitin e ardhshëm, Kosova nis punën për marrjen e statusit të vendit kandidat për BE

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se vitin e ardhshëm Kosova do të fillojë të punojë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kështu ka thënë ai gjatë pjesëmarrjes në diskutimin me temën “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një botë më të sigurt”.

“Jam takuar me Von Der Leyen dy herë. Një herë në Athinë, pastaj në Prishtinë. Shpresoj shumë që të kemi një pjesë të madhe të planit të rritjes. Më 15 dhjetor e dorëzova aplikimin për anëtarësim e Kosovës në BE dhe kam kërkuar nga Von Der Leyen që të ma dërgojnë pyetësorin, pyetjeve të cilave me durim do t’u përgjigjemi”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, në Bashkimin Evropian duhet të ketë rrënjë të brendshme dhe jo nga jashtë.

“Varet nga ajo dhe nga Këshilli i BE-së që ne të marrim statusin e kandidatit si të fundit në Ballkan. Pasi të hiqet regjimi i vizave për Kosovën, shpresoj që në vitin e ardhshëm do të fillojmë dhe të punojmë që ta marrim statusin e kandidatit”, ka potencuar kryeministri Kurti.

Tutje, ai ka thënë se Kosova nuk ka alternativë tjetër dhe se Bashkimi Evropian është destinacioni i saj.