Kurti: Rreth 2 milionë euro mbështetje për komunat në mbrojtje të natyrës

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se kanë hapur thirrjen në shumë rreth 2 milionë euro për mbështetjen e komunave në politikat për klimën, energjinë dhe infrastrukturën e qëndrueshme për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.

Kurti ka shkruar në Facebook se 22 prilli, Dita e Tokës shërben për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet mjedisore, për të promovuar praktika të qëndrueshme dhe mbi të gjitha për të ndërmarr veprime konkrete për mbrojtjen e tokës dhe shëndetit tonë.

”Investoni në planetin tonë”, theksi i temës së këtij viti, është thirrje për të gjithë ne, për qeverinë dhe bizneset, komunat dhe organizatat, mediat, komunitetet dhe qytetarët që të punojmë bashkë për një të ardhme më të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë. Për ne, dita e tokës nuk është dita e vetme kur ne flasim e veprojmë për tokën por është ditë që na frymëzon për më shumë veprim dhe na ndihmon të vlerësojmë progresin e përditshëm që bëjmë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se Kosova është në rrugë të mirë drejt mbrojtjes së mjedisit dhe krijimit të një ekonomie të shëndoshë dhe të qëndrueshme.

“Politika tona inovative për zhvillim dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe ato për mbrojtjen e mjedisit plotësojnë njëra tjetrën. Investimet që po bëjmë në energjinë e rinovueshme si projekti Solar 100MË në KEK, projekti për rezervë akumuluese me kapacitetin më të madh në Evropë, projektin e parë në Ballkan për ngrohje qendrore me panele solare, e shumë projekte tjera që kemi në plan do të ndihmojë në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë”, shkruan ai.

Kurti, ka shkruar se Kosova, edhe pse nuk ka rritur akoma të bëhet pjesë Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike, çdo ditë e më tepër po e dëshmon vendosmërinë e saj në ndërmarrjen e veprimeve për të reduktuar nivelin e ndikimit në mjedis dhe gatishmërinë për të kontribuar në përpjekjen globale për mbrojtjen e tokës.

“Këtë vit, ne po bëjmë të gjitha përgatitjet që në mënyrë unilaterale të ratifikojmë Marrëveshjen e Parisit të cilës po i paraprinë Ligji i parë që do të ketë Kosova për Ndryshime Klimatike. Ndryshimi i klimës, humbja e biodiversitetit dhe ndotja nuk respektojnë kufijtë kombëtarë dhe ndikimet e tyre ndihen nga njerëzit dhe ekosistemet në mbarë botën, prandaj ne aktivisht po lobojmë që Kosova të ketë të drejtën në dialog dhe qasje në fondet e OKB-së për ndryshime klimatike”, shkruan Kurti.

Për Ditën e Tokës, Kurti ka thënë po ashtu se vitin e kaluar në mënyrë që të përshpejtojmë zhvillimin e një modeli ekonomik qarkor që të zvogëlojmë emetimet e gazrave, të ruajmë biodiversitetin dhe të ndërtojmë sistem ushqimor të qëndrueshëm lansuam Kartën për Komunën e Gjelbër dhe të Qëndrueshme të cilën deri më sot e kanë nënshkruar 22 komuna.

“Sot, jemi të lumtur të ju njoftojmë se po hapim thirrjen në shumë rreth 2 milionë euro për mbështetjen e Komunave në politikat për klimën, energjinë dhe infrastrukturën e qëndrueshme, zhvillimin lokal përmes konceptit të ekonomisë qarkore, lëvizshmërinë dhe rritjen e kapaciteteve të transportit publik me shkallë të ulët të emetimit, mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit, zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme të ushqimit dhe transformimin digjital”, shkruan Kurti.