Kurti përshëndetet me Wigemark: EULEX-i është bërë më i panevojshëm se kurrë më parë

Kryeministri, Albin Kurti mori pjesë mbrëmë në pritjen lamtumirëse për nder të shefit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigermark, në përfundim të mandatit të tij.

Kurti u shpreh se mënyra më e përshtatshme që një qeveri mund të shprehë falënderimet e saj ndaj një organizate të huaj ndihmëse është t’ia dëshmojë asaj se nuk është më e nevojshme.

“Dhe gjithashtu, komplimenti më i lartë që mund t’i bëj ambasadorit Wigemark, teksa mbylli tri vjet e gjysmë shërbim të shquar, është se nën udhëheqjen e tij, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit është bërë, në pjesën më të madhe, më shumë e panevojshme se kurrë më parë”, ka deklaruar Kurti.

Duke shprehur mirënjohje të thellë për punën e tij në krye të kësaj organizate, kryeministri tha se qëllimi përfundimtar i institucioneve të huaja të ndihmës nuk është të qëndrojnë përgjithmonë në vendet që ata ndihmojnë. Përkundrazi, është për t’i përgatitur ato vende që të qëndrojnë në këmbët e tyre.

Sipas njoftimit për media, thuhet se kryeministri Kurti tutje u shpreh se sundimi i ligjit në Kosovë nuk ka qenë kurrë më i fortë dhe se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në këtë fushë, veçanërisht në dy vitet e fundit.

Megjithatë, kryeministri Kurti e veçoi rëndësinë e EULEX-it dhe praninë e tij në javët e fundit në Mitrovicën e veriut, ku sundimi i ligjit ende nuk është vendosur plotësisht.

Ai falënderoi gratë dhe djemtë e guximshëm të EULEX-it për shërbimin e tyre, së bashku me Policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it, për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe ligjit kundër milicisë së dhunshme dhe grupeve kriminale të nxitura dhe sponsorizuara nga Beogradi.

Kryeministri përmbylli fjalën e tij duke ngritur një dolli për ambasadorin Wigemark për gjithçka që ai ka bërë për vendin tonë dhe popullin tonë, duke shpresuar që Ambasadori Lars, të vijë e ta vizitojë Kosovën sa më shpejtë dhe aq shpesh sa e lejojnë angazhimet e tij të ardhshme.