Kurti pas takimit me Lajçak, Plotner e Bonne: Qëllimi i dialogut është njohja reciproke

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur sot në takim të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me këshilltarët e Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanul Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne.

Sipas kryeministrisë, Kosova në këtë takim ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”.

“Ai falënderoi z. Lajčák, si dhe këshilltarët z.Plötner dhe z.Bonne, për angazhimin e tyre për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë,

Tutje, bëhet e ditur se gjatë takimi u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për Ballkanin Perëndimor.

“Takimi vije pas propozimit në letrën e përbashkët të Kancelarit Scholz dhe Presidentit Macron, drejtuar Kryeministrit Kurti, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajčak, në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi i dialogut të lëvizë përpara shpejt”, thuhet në komunikatë.

SHARE