Kurti: Mbrëmja e 24 marsit ishte hera e parë që na pëlqente uturima e avionëve të cilët po e shqyenin qiellin

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar 22-vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë,

Kurti ka thënë se sot kremtojmë përvjetorin e ngadhënjimit të forcës së ndërgjegjes humane mbi dhunën e shovinizmit serb.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i ekzekutivit ka thënë se mbrëmja e 24 marsit ka qenë hera e parë që na pëlqente uturima e avionëve të cilët po e shqyenin qiellin.

“Sot kremtojmë përvjetorin e ngadhënjimit të forcës së ndërgjegjes humane mbi dhunën e shovinizmit serb. Ishte hera e parë që na pëlqente uturima e avionëve të cilët po e shqyenin qiellin. U gëzuam fort. Mbrëmja e 24 marsit 1999 shënoi fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat e armatosura të Jugosllavisë së Milosheviqit. Shumë humbje, vuajtje e dëme u shkaktuan mbi popullin e vendin tonë në pranverën e para 22 viteve, por ishte ky agimi i çlirimit të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Sëkëndejmi, Kurti ka thënë se në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë.

“Ishte agim sepse dhimbjet që kishin ndodhur në një burg të përgjithshëm për shqiptarët, tanimë po njoftoheshin në një qiell të hapur. Lufta jonë e ndërgjegjes kishte triumfuar në formën e vendimit të përbashkët të kombeve që prej më shumë se dy shekujsh ishin angazhuar në të drejtën. Sakrificës që kishte ardhur gjithnjë nga lënda njerëzore, gjaku dhe bijat e bijtë e popullit tonë, po i bashkohej aleanca më e madhe botërore e historisë. Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë”, ka shkruar Kurti.