Kurti dhe Vuçiq sot mund të takohen në Francë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç pritet të takohen në Francë përgjatë punimeve të Forumit të Paqes së Parisit, në një periudhë tensionesh ndërmjet të dyja vendeve dhe trysnisë ndërkombëtare për të shmangur tensionet dhe për të punuar për një marrëveshje normalizimi ndërmjet tyre.

Të mërkurën në mbrëmje kryeministri Kurti në një video të publikuar në rrjetet sociale, tha se do të shkojë në Paris me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.

“Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje”, tha ai duke nënvizuar se është “i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”.

Ai tha se janë dy propozime në tryezë: “ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë”, tha kryeministri Kurti.

Më herët të mërkurën presidenti serb Aleksandar Vuçiç u tha mediave në Beograd se pret të diskutojë me shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, por nuk përmendi mundësinë e ndonjë takimi me kryeministrin Kurti.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u shtuan pas vendimit të qeverisë së zotti Kurti për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia që përdoren nga qytetarët serbë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Pezullimi i drejtorit rajonal të policisë në zonë për shkak të refuzimit për të zbatuar vendimin për targat që filloi me 1 nëntor, nxiti reagimin e përfaqësuesve serbë të cilët pas këshillimit me Beogradin, u tërhoqën nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Kryeministri Kurti tha gjatë javës se Serbia po përpiqet të maskojë refuzimin e nismës franko-gjermane për një marrëveshjeje normalizimi ndërmjet të dyja palëve, duke bërë përpjekje të destabilizojë situatën ne veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Ky pohim i tij ishte një referim i qartë në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili tha se Beogradi e ka refuzuar planin franko – gjerman i cili niset nga pohimi se Kosova është shtet i pavarur.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, tha para disa ditësh se ka marrë përgjigjet nga Kosova dhe Serbia për nismën franko-gjermane dhe se ato janë duke u shqyrtuar, por nuk dha më shumë hollësi.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje palëve që të ulin tensionet dhe të shmangin veprimet që mund të çojnë në përplasje, ndërsa shprehën zhgënjimin që qeveria e Kosovës nuk përfilli kërkesën për një shtyrje dhjetë muajshe të afatit për konvertimin e targave të makinave.

Shtetet e Bashkuara ritheksuan në disa raste ditëve të fundit se serbët duhet të kthehen në institucione ndërsa Kosova të shtyje afatin për targat dhe të fillojë zbatimin e marrëveshjeve përfshirë edhe atë për themelimin e Asocaicionit të komunave me shumicë serbe.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të mërkurën në një takim me një grup gazetarësh se ka një krizë në Kosovë dhe “jemi të përqendruar në këtë krizë dhe besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme për ministra që të udhëtojnë për udhëtime zyrtare drejt Shteteve të Bashkuara kur kemi një krizë që ta zgjedhim këtu tani”, duke ju referuar njoftimeve se janë shtyrë vizitat e planifikuara të përfaqësuesve qeveritar në SHBA.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, shkroi në rrjetet sociale se shtyrja e vizitës s ësaj ka ndodhur “në bashkërendim me zyrtarë të lartë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë”, ndërsa i cilësoi të pavërteta njoftimet në mediat lokale se i është refuzuar viza.

Opozita në Kosovë i ka kërkuar qeverisë që të bashkërendojë veprimet me aleatët perëndimorë për tejkalimin e krizës në veriun e Kosovës, duke shprehur shqetësimin për dëmtim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar në disa raste se qeveria e tij është në bashkërendim dhe komunikim me aleatët perëndimorë ndërsa ka hedhur poshtë pohimet për cenim të marrëdhënieve.