Kurti akuza Brukselit për çështjen e pagjeturve: E kemi dakorduar tekstin, nuk po e përmendin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në një konferencë për media shpalosi “një zhvillim interesant” në takimin e 18 gushtit në Bruksel.

Ai tha se në këtë takim marrë vesh për tekstin për të pagjeturit, mirëpo sipas tij Serbia refuzoi ta nënshkruajë.

Më 18 gusht ka pasur edhe një zhvillim tjetër interesant, i cili nuk përmedet sot. Jemi dakorduar për tekstin, për marrëveshjen për të pagjeturit, për të zhdukurit me dhunë, jemi dakorduar. Dy faqe është teksti, mungojnë veç nënshkrimet. I imi jo, unë isha i gatshëm ta vendosë, Serbia refuzoi. U dakorduam për tekstin, merreni me mend në Bruksel nuk përmendet që ka marrëveshje të dakorduar. E kemi dakorduar tekstin, e kemi negociuar dhe janë pajtuar palët për tekstin, kur vjen puna te nënshkrimi unë jam i gatshëm, Serbia nuk është. Dhe asnjë dënim, asnjë gjykim, asnjë kritikë ndaj Beogradit, por edhe një herë po e them ne jemi të përcaktuar për rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike. Kurrë nuk hidhërohemi, kurrë nuk mbajmë inate veç të kryejmë punë, por për me kry punë duhet seriozisht me marr temën, e tema është propozimi dhe marrëveshja finale. Nuk është koha për ambicie për hapa të vegjël teknikë, por për zgjidhje finale dhe për këtë unë angazhohem maksimalisht”, tha Kurti.

“Tash po shkojnë orët, është e vërtetë, por deri në minutën e fundit nuk është e drejtë të flasim se çka do të ndodh kur skadon afati sepse tash duhet të jemi të përqendruar në përpjekjet maksimale që dakordimi të arrihet para se të bëhen 48 orë”, deklaroi Kryeministri.