Kryetari i Klinës në gjyq për punësimin e vajzës

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, është ulur sot në bankën e të akuzuarit për t`u ballafaquar me akuzën e prokurorisë për vepër penale-Konflikt Interesi.

Elezaj akuzohet nga prokuroria për rastin e punësimit të vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Sot ka qenë e parapare të mbahet seanca e dytë gjyqësore për kundërshtim të aktakuzës, por qe sipas gjyqtares se rastit Violeta Husaj Rugova, në Gjykatë nuk ka arritur ndonjë kundërshtim apo kërkesë për shpallje të provave të papranueshme.

Mbrojtësi i të akuzuarit Zenun Elezaj, avokati Kujtim Kërveshi sot në seancë ka hequr dorë nga kundërshtimi i aktakuzës edhe pse gjykatës me kohë i kishte dërguar kundërshtimin me shkrim dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës.

“Edhe pse kam paraqitur kundërshtimin me shkrim, me qellim të ekonomizimit të procedurës penale duke mos dashur që për shkak të kundërshtimeve me shkrim të zgjatet procedura penale e duke qenë i bindur që çështja në fjalë më së miri sqarohet në shqyrtim gjyqësor, heq dorë nga kundërshtimi me shkrim”, deklaroi avokati Kërveshi.

Seanca e radhës është caktuar me 15 prill 2020.

Prokuroria e Pejës po pretendon se kryetari Zenun Elezaj edhe pse e kishte ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.
Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në dosja e Prokurorisë thuhet se kallëzimi penal kundër kryetarit Elezaj është ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Kosovë.

Në një opinion ligjor të AKK-së dhënë për Prokurorinë e Pejës thuhet se Kryetari i Komunës përjashtohet nga procedurat vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë çështje në të cilën ai apo ndonjë anëtar i familjes se tij ka interes personal apo financiar.

Kryetari i Klinës në dëshminë e tij të dhënë para organit ndjekës ka deklaruar se në momentin kur ka kuptuar se vajza e tij ka aplikuar për mjeke në atë konkurs, vullnetarisht e ka përjashtuar veten nga vendimmarrja dhe procedurat administrative.

“Për këtë rast gojarisht e kam njoftuar, nënkryetarin e Klinës dhe udhëheqësin e zyrës se personelit”, ka deklaruar Zenun Elezaj.

SHARE