Kryetari Elezaj: Një vit nga rasti i parë me COVID-19 në Klinë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, përmes një postimi të bërë në FB ka kujtuar rastin e parë me COVID në këtë komunë. I njëjti thotë se fillimi i përhapjes së virusit ishte i vështirë për të gjithë, veçanërisht në aspektin psikologjik.

Ky është postimi i plotë:

Nesër bëhet një vit nga identifikimi i rastit të parë me virusin COVID-19 në qytetin e Klinës e njëkohësisht edhe në Kosovë.

Fillimi i përhapjes së virusit ishte i vështirë për të gjithë, veçanërisht në aspektin psikologjik, sepse po përballeshim me diçka të fshehtë e të rrezikshëm, që atëkohë e edhe tash po sfidon edhe shtetet më të forta në botë, si në aspektin mjekësor e po ashtu edhe ekonomik.

Më këtë rast, kam vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, ku kam takuar stafin shëndetësor.
Falenderova mjekët, infermierët dhe të gjithë të angazhuarit në QKMF për punën e madhe që është realizuar gjatë këtij vitit në ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore për pacientët. Përkundër rrezikut të madh të infektimit janë pikërisht stafi shëndetësor që asnjëherë nuk është dorëzuar dhe është angazhuar maksimalisht për t`ju ofruar kujdesin e duhur qytetarëve.
Një falënderim të madh edhe për ish drejtorin e SHMS, Hekuran Sejdiun, për angazhimin e tij të madh e profesional gjatë kohës sa drejtonte këtë drejtori.

Pas identifikimit të rastit të parë me COVID-19, Komuna e Klinës ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të parandaluar përhapjen e virusit dhe trajtimin e personave të identifikuar.
Sipas udhëzimeve të ekspertëve mjekësor, QKMF është pajisur me mjete për masa mbrojtëse, me teste rapid për të testuar të gjithë të dyshuarit me virusin si dhe me barna të nevojshme për trajtim, si dhe janë caktuar ekipa të patronazhit për vizita në shtëpi. Po ashtu, janë bërë investime të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës në QKMF dhe është bërë pajisja me aparate të nevojshme për analiza laboratorike, shumë të rëndësishme në këtë kohë.
Gjatë kësaj kohe në Komunën e Klinës janë identifikuar 792 raste me COVID-19. 663 janë shëruar, 81 raste janë aktive, ndërsa fatkeqësisht 46 qytetarë kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit me virus.