Kryetari Elezaj dhe ministri Kuçi nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në vlerë 700 mijë euro për investime në fabrikën e ujit

Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, dhe Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, z. Blerim Kuçi, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi për projektin për “Ndërtimin, funksionalizimin, mbikëqyrjen e fundërruesit të ujit si dhe ndërrimi i filtrave të fabrikës së ujit të pijshëm në Klinë”, projekt ky shumë i nevojshëm për qytetarët e Klinës.

Kryetari Elezaj ka falënderuar ministrin Kuçi për mbështetjen që po i jep këtij projekti, që ka një rëndësi të veçantë për qytetarët e Klinës.

Elezaj theksoi se ndërrimi i filtrave të fabrikës është një domosdoshmëri për funksionalizimin e fabrikës së ujit dhe rritjen e kapaciteteve të saj, ndërsa tha se komuna mbetet e përkushtuar në gjetjen e zgjidhjes afatgjatë për problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e Klinës.

Vlera e projektit është 700 mijë euro, ku 200 mijë do të i paguajë Komuna dhe 500 mijë Ministra e Ekonomisë dhe Ambientit, ndërsa projekti do të implementohet këtë vit dhe në vitin e ardhshëm.