Kryeshefi i Trepçës: Pagat e minatorëve dalin të hënën

Pagat e minatorëve të Trepçës për muajin korrik do të ekzekutohen të hënën. 

Këtë e ka konfirmuar për KP, Enis Abdurrahmani, u.d. kryeshef ekzekutiv i Trepçës.

Sipas tij, ndërmarrja Trepça në gjysmën e parë të këtij viti është ballafaquar me krizë të rënies së çmimeve të metaleve në bursë, si dhe me rënien e produktivitetit.

Por, përkundër kësaj, shtoi ai, Trepça i ka ekzekutuar pagat e punëtorëve në tërësi falë subvencioneve të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Abdurrahmani tha se ndërmarrja gjatë muajve të kaluar i është nënshtruar ristrukturimit dhe sistematizimit në të gjitha njësitë biznesore të saj, ku rezultatet do të duken muajt në vijim.

Ai ka përmendur edhe miratimin e rregullores për pagat, e cila kompenson punëtorët në përpjesëtim me realizimin e planit të produktivitetit, prodhimit dhe të hyrave.