Kryeshefi i IPK-së: Policët kanë nevojë për disiplinim e trajnime shtesë

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka thënë se ky institucion trajton të gjitha veprat që mund t’i kryejë një qytetar apo pjesëtar i Policisë, duke shtuar se shkeljet më së shumti lidhen me përdorimin e forcës dhe keqtrajtimin.

Ai tha se ka nevojë për disiplinim e trajnime shtesë për policët që kanë kontakt të vazhdueshëm me qytetarë.

“Ne trajtojmë të gjitha veprat penale që mund t’i kryejë një qytetar, mund të ndodh që t’i kryejë edhe pjesëtar i policisë, por veprat apo shkeljet janë ato që lidhen me përdorimi e forcës apo me keqtrajtim apo me tejkalimin e forcës gjatë arrestimit. Këto janë shkelje që janë tipike për zyrtarë policorë dhe që ndodhin në të gjitha policitë e botës.”

“Ka nevojë për disiplinim, trajnime shtesë për punonjës apo zyrtarë policorë që kanë kontakt të vazhdueshëm me qytetarë dhe të jenë të kujdesshëm për mënyrën se si i qasen dhe respektojnë të drejtat e njeriut gjatë arrestimit të qytetarëve”, tha Hodaj.

Hodaj theksoi se ka një numër të zyrtarëve që ka ankesa të përsëritura ndaj tyre.

“Ka një numër të zyrtarëve që ka ankesa të përsëritshme ndaj tyre. Sigurisht që masat kanë efektin e tyre. Për vetë faktin që ka rritje të numrit të ankesave ndaj punës së policisë që adresohen në inspektorat, kjo tregon që është rritur besimi në punën tonë dhe qytetarët janë më të gatshëm që të vijnë të ankohen dhe të ballafaqohen me zyrtarë ndaj të cilëve ata kanë dyshimet e tyre”, tha ai.