Kriza e banimit në Kosovë mund të bëhet tragjedi kombëtare

Një krizë e thellë dhe e pamëshirshme e ka goditur Kosovën tash e disa vjet. Është fjala për krizën e banimit. Krizë që megjithatë nuk ka gojë, nuk shprehet, e që shkaku i kësaj memecërie, rrezikon të shndërrohet në një tragjedi kombëtare.

Natyrisht, tragjedi të vogla e të kufizuara veçse ka ndodhur e po ndodhin përditë. Dikush futet në kredi që e mban të nënshtruar për pesëmbëdhjetë-njëzet vjet. Dikush tjetër thjesht s’ia del mbanë që të krijojë familje, meqë banon vet i shtati a i teti në një hapësirë banimi për katër vetë. Dikush ikë prej Kosovës. Etj. Por, këto tragjedi të vogla mund të bëhen bashkë me kalimin e kohës për ta ekspozuar kalbjen morale të shoqërisë.

Familjet
Nëse shohim censusin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të vitit 2011, vërejmë që 236 mijë e 994 familje kosovare përbëhen nga 7 anëtarë e më pak. Vetëm 59 mijë e 541 familje ishin me tetë anëtarë e më shumë, ose më pak se 30 për qind. Ta përsërisim: statistikat i takojnë vitit 2011, dhe prej të gjitha këtyre familjeve mund të jenë krijuar familje të reja të vogla. Situata sot mund të jetë edhe më dramatike. Pra, familjet në Kosovë priren kah zvogëlimi. Ato s’arrijnë ta ruajnë kompaktësinë gjatë zgjerimit, sepse hapësira e banimit është e ngushtë dhe s’e duron dot një gjë të tillë. E në anën tjetër ne e dimë që Kosova është vend shumë familjocentrik.

Por, ne dimë edhe diçka tjetër: Kosova është vendi me popullsinë më të re në Evropë. Kjo i ka të mirat e veta, natyrisht. Fuqia punëtore është e madhe, qoftë e shkathtë e qoftë e pashkathtë. Fuqia punëtore është shtylla e një shoqërie. Por, edhe rinia jonë i nënshtrohet procesit biologjik të plakjes. Nuk rri gjithë kohës 20 e 30-vjeçare. Dhe s’do ta pranojë për gjithë jetën nënshtrimin. Nuk mjafton më vetëm buka e gojës.

Sipas po të njëjtit regjistrim popullsie, del se gati 70 për qind e shoqërisë kosovare prej 1 milion e 739 mijë e 825 banorëve i takonte moshës poshtë 34-vjeçare. Saktësisht, 1 milion e 95 mijë e 587 njerëz ishin poshtë kësaj moshe. Prej gjithë këtyre njerëzve, nëse e marrim të mirëqenë se 70 për qind prej tyre s’e kanë banimin e siguruar, atëherë na del që mbi 700 mijë njerëz të rinj në Kosovë janë pa kulm mbi kokë. Nëse e marrim shifrën 50 për qind, atëherë dalin 500 mijë. Pra, problemi është tepër tepër i madh. Shumë prej këtyre njerëzve pa banimin e zgjidhur do të detyrohen që të futen në kredi prej të cilave mund të mos dalin kurrë. Ose, prej të cilave dalin vetëm pasi janë detyruar të punojnë në kushte të mjerueshme për pesëmbëdhjetë e njëzet vjet. Të tjerë do të jetojnë nëpër hapësira banimi të ngushta. Të tjerë do të jetojnë me qira gjithë jetën, pa mundur që në fund të jetës të kenë një strehë në emrin e tyre. Dhe edhe më të tjerët, thjesht do të ikin prej Kosovës.

Por, një tjetër statistikë është edhe më dërmuese. Fëmijët nën moshën 25 vjeçare që banonin me prindërit e tyre ishte 309 mijë e 343. Ndërkohë, numri i fëmijëve të moshës 25 e lart që banonin me prindërit e tyre ishte ndjeshëm më i vogël: 25 mijë e 114. Pra, as 10 për qind.

Banesat
Me sy të lirë nëse sillemi vërdallë netëve nëpër Prishtinë mund të vërejmë qindra banesa të pabanueshme. Por, ky ishte problem edhe në vitin tashmë të largët, 2011. Sipas ASK-së në atë vakt ishin 99 mijë e 808 banesa të pashfrytëzueshme.

Ky numër mund të jetë edhe më i lartë sot. Por, do të kthehemi në këtë pikë më poshtë. Ky numër shqetëson veçanërisht kur shohim në statistika që plot 66 mijë e 251 njerëz në vitin 2011 banonin nëpër banesa më të vogla se 49 metra katrorë.

Prej vitit 2011 e deri sot, çmimet e banesave ndërkohë janë dyfishuar e diku diku edhe trefishuar.

Çmimi i një banese në Prishtinë shkon sot prej 1500 euro deri në 2000 euro për një metër katror. Ky është kiameti vet për familjet e reja kosovare me të ardhura më pak se 1000 euro në muaj. Për më keq, derisa po kërkoja për çmimet në disa platforma të tregtisë online, u trondita kur pashë më shumë oferta për blerje të banesave (bile, disa donin të blinin banesa në shumës) se sa kërkesa për shitje të tyre.

Por, kush po i blen këto banesa?

Diaspora
Në vitin 2021, Kosova i thithi vetëm 480 milionë euro investime të huaja direkte. E prej tyre 335.7 milionë ishin në aktivitete të patundshmërisë. Pra, në blerje banesash e tokash. Investitorët e huaj në fakt nuk janë dhe aq të huaj. Ata janë qytetarët nga diaspora.

Por, pse një qytetar nga diaspora mund të ketë interes që të blejë banesë në Prishtinë? Prishtina, ashtu si edhe shumica e qyteteve tjera në Kosovë, është e konceptuar si qytet punëtorësh. S’ka kurrgjë hiç për pushues, pensionistë, pasanikë e të huaj. Nëse s’je i lidhur me ndonjë punë të caktuar, nëse s’ke kurrfarë funksioni, atëherë natyrshëm ndihesh i huaj. Besoj keni dëgjuar për qytetin e Çernobilit në Ukrainë. Ishte i tëri i mbushur me punëtorë të termocentralit bërthamor që banonin nëpër ndërtesa të stilit brutalist si në Prishtinë. Tash, imagjinoni sikur aty të shkonin e të blinin banesa njerëz nga diaspora ukrainase? Kjo është qesharake, absurde e njëkohshëm edhe tragjike.

Dikush mund të thotë që mërgimtarët i shfrytëzojnë banesat gjatë muajve të verës kur vijnë në pushime. E çka bëjnë gjatë asaj kohe? Është larg më mirë të ndërtosh një shtëpi në ndonjë vend në periferi ku mundësitë për rekreacion janë jashtëzakonisht më të mëdha. Liburn Aliu, ministri i Infrastrukturës, ka blerë shtëpi në lagjen Marigona Hill për vetëm 600 euro metrin katror. Të gjithë pasanikët në Kosovë po e kuptojnë se prej Prishtinës s’ka hair, dhe po largohen ngadalë. Por, këtë mësim duhet ta marrë edhe diaspora.

Dikush tjetër mund të thotë se këta mërgimtarë kanë të drejtë të blejnë banesa, edhe nëse asgjë nuk iu vyejnë. Jemi në treg të lirë! Jo, nuk e kanë atë të drejtë! Brenda tregut të lirë ka po ashtu rregulla të caktuara, duhet të ketë. Nuk mund të konkurrojnë të rinjtë e Kosovës me rroga dhjetëfish më të vogla e me kapital njëqindfish më të vogël për të drejtën e tyre bazike, banimin, me diasporën që atë banim e ka thjesht luks.

Shteti duhet të ndërhyjë, sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që të ulen çmimet. Një tarifë ndaj investimeve të diasporës në patundshmëri, mund të ishte një nismë e mirë.

Nacionale