Krasniqi: Sapo VV-ja ta bëjë këtë, i ka votat e PDK-së për rrëzimin e Hotit

Krasniqi: Sapo VV-ja ta bëjë këtë, i ka votat e PDK-së për rrëzimin e Hotit

Vetëvendosja do t’i ketë votat e PDK-së për rrëzimin e qeverisë, sapo ta sjellë zyrtarisht në Kuvend mocionin, thotë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Ne nuk e kemi votuar Albin Kurtin për kryeministër dhe kur ka ardhur një propozim për ta hequr prej kryeministrit, e kemi votuar. Nuk e kemi votuar Avdullah Hotin dhe ditën që do të vijë një mocion për ta hequr, ne e votojmë. Duhet të vijë mocioni zyrtarisht në rend dite në Kuvend”, ka thënë ai.

Krasniqi thotë se nuk kanë biseduar me VV-në për mocionin, përveç diskutimeve publike dhe kërkesës së tyre që çdo deputet ta votojë.

“Jo nuk kemi biseduar, sepse VV e ka nisë një mocion në mungesë të temave, mbetën pa tema dhe e nxorrën një temë krejtësisht legjitime prej një partie opozitare, por nuk bëhet ajo punë ashtu. Dolën në një konferencë dhe thanë se mirë është me e nënshkru edhe deputetët tjerë, PDK-ja para se gjithash. Pastaj kishte deklarime prej zyrtarëve të tyre, ne e kemi bë mocionin me testu PDK-në”, tha ai.

“Prej ditës së parë e kemi deklaruar këtë punë. E kemi përsëritur dhe ripërsëritur”, ka thënë ai. Por, si ka vazhduar, nga PDK-ja nuk mund të pritet që ta kryejë “punën e Vetëvendosjes, duke u bërë pjesë e planeve të tyre”.

Siç ka thënë ai, fjala është për plane “për të cilat as që janë konsultuar”.

Ai ka mohuar të ishin bërë pjesë e LDK-së, kur u rrëzua Qeveria Kurti.

“Nuk është ashtu, sepse LDK-ja nuk ka komunikuar me neve. 40 nënshkrime duhen për ta zyrtarizuar mocionin. Dhe brenda dy ditëve vendoset në votim. Jo më shpejt se dy dhe jo më vonë se pesë. Dhe këtë e dijnë, ua kemi thënë edhe në seancë. E kemi deklaruar secili prej nesh”, ka thënë ai.

Siç ka thënë Krasniqi, Qeveria nuk mund të rrëzohet vetëm nga VV-ja dhe PDK-ja.

“As edhe me dy votat që Vjosa Osmani dhe ai deputeti tjetër i LDK-së që kanë qenë kundër Avdullah Hotin. Dhe meqë po e duan flamurin dhe bajrakun, është në rregull. Por vetëm le ta çojnë punën në fund. Votat e PDK-së, në ditën që zyrtarizohet mocioni, pra që në kuptimin ligjor janë 40 nënshkrime që e vendosin në seancë të re, të jashtëzakonshme, absolutisht i ka, të plota, 24, pa asnjë minus”, ka thënë ai.