Krasniqi pas takimit me Escobar dhe Lajçak: Mbështesim dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot kanë takuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Pas takimit, Memli ka bërë të ditur se takimi u zhvillua në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, teksa diskutuan për zhvillime politike.

Ai tha se PDK mbështetë dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë.

“Sot, në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, takova Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Diskutuam për zhvillimet politike në shtetin tonë dhe për rolin e Partisë Demokratike të Kosovës si udhëheqëse e opozitës në vend.

PDK mbështetë dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, intergritetin territorial dhe rendin kushtetues”, tha ai.